Nga Sali Beqiraj
Në 12 vjetorin e ikjes
Kujtohet Azemi
Takimet “Azem Shkreli”, janë mbajtur pa asnjë paralajmërim a pano nëpër qytet. Mark Krasniqi, për herë të dytë është bërë fitues i çmimit me emrin e Shkrelit. Ministria e Kulturës, Krasniqit i kishte dhënë çmimin nacional “Azem Shkreli”, prapë ministria e kulturës, por, tash ,në bashkëpunim me komunën e Pejës, i bën “reprizë” çmimit që e kishte dhënë para dy vjetësh në Prishtinë
SALI BEQIRAJ
Pejë, 24 maj- Borë, shkrepa dhe një malësor që ngjitej bjeshkës përpjetë. Sipas këtyre pamjeve filmike, disa vargje maksimë të Azem Shkrelit. “….jam diku larg teje, larg vedi, jam ba përshëndetje e harrueme e kalimtarëve, jam ba lot e kangë, jam ba betim i rrugëve dhe rreze e shkrepun majë gurit…”. Për dy minuta, pamjet e paraqitur nga regjisori Fatos Lajçi kanë mjaftuar për të prekur shtratin e fjalës dhe shpirtin poetik të Azem Shkrelit, në 12 vjetorin e ikjes së tij. I pari që ka folur për Shkelin ka qenë i pari i pushtetit të Pejës, Ali Berisha, nën patronatin e të cilit mbahen këto takime tash dy vjet. Ai ka kujtuar Shkrelin si një krijues të pazëvendësueshëm veprës së të cilit i përkulet. “Krijues si Azem Shkreli nuk lindin dhe nuk krijohen, por i dhurohen një kombi në raste të veçanta” tha Berisha. Nga Ministria e Kulturës si bashkëpjesëmarrës i organizimit ka folur Hasan Zeka, që ndryshe nga herët tjera kur lexonte telegramet e përshëndetjes së ministrisë, këtë herë është shfaqur si poet.
Takimet “Azem Shkreli, janë mbajtur pa asnjë paralajmërim a pano nëpër qytet, megjithatë kanë mbledhur disa krijuesit që kanë marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së dy çmimeve që janë dhënë këtë manifestim. Mark Krasniqi, për herë të dytë është bërë fitues i çmimit me emrin e Shkrelit. Ministria e Kulturës, Krasniqit i kishte dhënë çmimin nacional “Azem Shkreli”, prapë ministria e kulturës, por, tash ,në bashkëpunim me komunën e Pejës, i bën “reprizë” çmimit që e kishte dhënë para dy vjetësh në Prishtinë. Çmimi për kontribut jetësor në letrat shqipe i është dhënë Adem Istrefajt.
Në pjesën artistike të këtyre takimeve është mbajtur ora e mërzitshme letrare. Të mërzitshme e kanë bërë afro 30 poetë që kanë lexuar vargje. Jo pak poetë kanë rilexuar poezitë e vet kushtuar Shkrelit, të cilat që shtatë vjet(prej se organizohen takimet…) i lexojnë të njëjtat. Lexuan; Din Mehmeti, Ali Podrimja, Agim Vinca, Xajë Nura, Qerim Ujkani, Ibrahim Kadriu, Hasan Hasani, Muhamet Kërveshi, Xhevat Syla, Halil Haxhosaj, Kadrush Radogoshi, Prend Buzhala, Esat Loshaj, Skënder R. Hoxha, Agim Desku, Ali M. Lajçi etj.
Në pjesën e dytë të takimeve që është mbajtur në ambientet e restorantit “Rugova Camp”” në Rugovë, është diskutuar mbi temën “Drama shqipe”. Për të njohurat dhe të panjohurat e dramës shqipe kanë referuar Besim Rexhaj dhe Haqif Mulliq.